Rënia e eksporteve dhe transferimet monetare të kompanive të huaja jashtë zgjeruan deficitin korrent më 2019

Contact Us

Rënia e eksporteve dhe transferimet monetare të kompanive të huaja jashtë zgjeruan deficitin korrent më 2019

Rënia e eksporteve dhe transferimi i dividentit jashtë vendit nga kompanitë e huaja u vlerësuan si shkaqet kryesore të zgjerimit të deficitit të llogarisë korrente në tremujorin e tretë të vitit 2019.

Banka e Shqipërisë përllogariti se deficiti i llogarisë korrente u raportua në 61.2 milionë euro në tremujorin e tretë të vitit 2019, duke u zgjeruar me rreth 10.1% në terma vjetorë.

Banka arsyetoi se zgjerimi i deficitit lidhet me rritjen e të ardhurave dalëse të investimeve të huaja direkte. Paralelisht, raportohet një rritje e të ardhurave hyrëse nga punësimi, por e pamjaftueshme për të kompensuar impaktin nga të ardhurat e investimeve.

Gjatë vitit të kaluar kompanitë e huaja ndanë dividentin duke përfituar nga ulja e tatimit nga 15% në 8%, duke nxitur transferimin e flukseve valutore jashtë përtej normalitetit.

Deficiti u vlerësua në nivelin 4.6% ndaj PBB-së nominale ose rreth 0.1 pikë përqindje më i lartë se i njëjti tremujor i një viti më parë. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2019, raporti është 3.1 pikë përqindje më i ulët.

Deficiti tregtar në mallra u zgjerua me rreth 11.3%, ndikuar kryesisht nga rritja e importit të mallrave me 7.6%. Nga ana tjetër, ka vazhduar rënia në terma vjetorë e eksportit, por me ritme më të zbutura krahasuar me tremujorin e mëparshëm (3.9% në tremujorin e tretë kundrejt 12.8% në tremujorin e dytë 2019).

Suficiti i nënllogarisë së “shërbimeve” u zgjerua me 17.5% në terma vjetorë. Ndikimi kryesor ka buruar nga rritja e eksportit të shërbimeve me 11.3%. Kontributi themelor ka ardhur nga rritja e shpejtë e “shërbimeve të udhëtimit” me 14.5%.

Nga ana tjetër, rritja e importit të shërbimeve regjistroi 7.6% ndikuar edhe në këtë rast nga rritja e importit të “shërbimeve të udhëtimit” me 8.5% krahasuar me një vit më parë.

Bilanci neto i llogarisë së të ardhurave parësore rezultoi me një tepricë negative prej 39.9 milionë eurosh, ndërkohë që një vit më parë shënonte 17.1 milionë euro.

Suficiti i nënllogarisë së të ardhurave dytësore, u zgjerua me rreth 10.9% në terma vjetorë. Flukset hyrëse të remitancave dhanë ndikimin themelor, pasi u rritën me rreth 8.4%.

Të ardhurat neto kumulative nga llogaria e shërbimeve, e të ardhurave parësore dhe atyre dytësore, financuan rreth 80.5% të deficitit tregtar të mallrave. Ky raport është 0.2 pikë përqindje më i lartë krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018 dhe 16.3 pikë përqindje më i lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Monitor

 

 

www.sigalad.al

agjenci doganore

Share this post?

Erald Hysa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *